Zonja e parë e Ukrainës, Olena Zelenska, ka publikuar një letër të hapur në faqen e saj zyrtare në Facebook, ku tregon mbi atë çka ka ndodhur këto dy javët e fundit në vendin e saj, pasi trupat ruse nisën sulmin.
“Pavarësisht garancive nga organet propagandistike të mbështetura nga Kremlini, të cilët e quajnë këtë një ‘operacion special’, në fakt ka të bëjë me vrasje masive të civilëve ukrainas”, shkruan Zelenska.
Në letrën e gjatë ajo shkruan: “Ndoshta më e tmerrshmja dhe më shkatërruese e këtij pushtimi janë viktimat mes fëmijëve. 8-vjeçarja Alice që vdiq në rrugët e Okhtyrka-s ndërsa gjyshi i saj u përpoq ta mbronte. Apo Polina nga Kievi, e cila vdiq gjatë granatimeve bashkë me prindërit e saj. 14-vjeçari Arseniy u godit në kokë nga rrënojat dhe nuk mundi të shpëtohej sepse një ambulancë nuk t’i vinte në ndihmë në kohë, për shkak të sulmeve intensive. I porsalinduri i parë i luftës pa tavanin e betonit të bodrumit, fryma e parë e tij ishte ajri i acartë i nëntokës. Në këtë pikë, janë disa dhjetëra fëmijë që kurrë nuk do te njohin paqen në jetën e tyre”.
Zonja e parë e Ukrainës nënvizon faktin se presidenti rus Vladimir Putin e ka nënvlerësuar rezistencën e ukrainasve.
“Teksa propagandistët e Kremlinit mburreshin se ukrainasit do t’i mirëprisnin me lule si shpëtimtarë, ata janë sulmuar me kokteje molotov” shkruan ajo.
Zelensky gjithashtu falënderon njerëzit nga e gjithë bota për mbështetjen e vendit të saj, ndërsa bën thirrje për mbylljen e hapësirës ajrore mbi Ukrainë.
“Mbyllni qiellin dhe ne vetë do ta menaxhojmë luftën në terren. Unë dëshmoj dhe i them botës: lufta në Ukrainë nuk është një luftë “diku atje”. Kjo është një luftë në Europë, pranë kufijve të BE. Ukraina po ndalon forcën që mund të hyjë në mënyrë agresive nesër në qytetet tuaja, me pretekstin e shpëtimit të civilëve. Nëse nuk e ndalojmë Putinin, i cili kërcënon të nisë një luftë bërthamore, nuk do të ketë vend të sigurt në botë për asnjë prej nesh”, përfundon ajo letrën e saj.