Çfarë e pengon Kosovën të hyjë në NATO ?

Që nga fillimi i agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, kanë filluar edhe shqetësimet për mundësinë e destabilizimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Kosovës ku rreth 3 mijë e 800 trupa të KFOR-it kujdesen aktualisht për sigurinë e vëndit.

Prej disa ditësh është përhapur në rrjetet sociale thirrja “Kosova në NATO”, duke kërkuar anëtarësim sa më të shpejtë të Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike.

Autoritetet më të larta të Kosovës dhe partitë politike po kërkojnë nga faktorët ndërkombëtarë që të mbështesin Kosovën në përshpejtimin e anëtarësimit të saj në NATO. Në këtë kuadër, pas një takimi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani ditën e martë, presidenti turk Recep Tayip Erdogan tha se Turqia do të ndërmarrë hapa, sikurse në rastin e njohjes ashtu edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Në reagimin e tij të menjëhershëm, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se ministria e Jashtme e Serbisë ka përgatitur një notë proteste pas komenteve të presidentit turk.

Cilat janë kriteret për anëtarësim në NATO?

Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, zëdhënësja e NATO-s, Daniele Riggio, tha se kriteret për anëtarësimin në NATO janë të përfshira në Nenin 10 të Traktatit të Uashingtonit, ku theksohet se “palët, me marrëveshje të njëzëshme, mund të ftojnë çdo shtet tjetër europian që është në gjendje të çojë përpara parimet e këtij Traktati dhe të kontribuojë në sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut për tu anëtarsuar në këtë Traktat”.

Cilat janë pengesat e Kosovës për anëtarësim në NATO?

“Pengesa më e madhe është fakti që NATO-ja edhe më tutje ka një qasje neutrale nëse jo edhe pasive në raporte formale sa i përket bashkëpunimit me Kosovën, për faktin që katër shtete të NATO-s edhe më tutje nuk e njohin Kosovën dhe për të qenë anëtare e NATO-s duhet domosdo me pas konsensus të plotë, të paktën mos të ketë vota kundër”, thotë për Zërin e Amerikës, drejtori i Qendrës së Kosovës për studime të sigurisë, Mentor Vrajolli.

Qeveria e Kosovës themeloi të martën “Fondin e Sigurisë”, për pranimin e donacioneve dhe kontributeve të diasporës dhe qytetarëve të Kosovës, që do të përdoren në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë shtetërore, infrastrukturën e sigurisë dhe menaxhimin e katastrofave natyrore.

Autoritetet në Kosovë thonë se janë duke bashkëpunuar me aleatët perëndimorë për të kundërshtuar agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe për t’u përballur me ndikimet e mundshme në rajonin e Ballkanit.

 

Koha Shqiptare

Next Post

Mbahen zgjedhjet e pjesshme lokale në Shqipëri

Sun Mar 6 , 2022
Shqiptarët në 6 bashki votojnë për kryetarët e rinj, ja emrat e të gjithë kandidatëve Mbahen sot në Shqipëri zgjedhjet e pjesshme lokale. Shqiptarët në gjashtë bashki të vendit votojnë ditën e sotme për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj. Të zgjedhurit në këto votime do të kenë një mandat 1-vjeçar. […]

Artikuj te ngjashëm