Kryeministri hungarez Viktor Orban ka deklaruar se Hungaria dënon sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, por ajo nuk mbështet sanksionet kundër Moskës që kanë të bëjnë me ndalimin e importeve ruse të energjisë.
Në një deklaratë pas bisedimeve dypalëshe në Londër me kryeministrin britanik Boris Johnson, Orban tha se zgjerimi i sanksioneve ndaj sektorit energjetik rus do të sillte një “barrë në mënyrë disproporcionale të madhe” për Hungarinë.
“Ne dënojmë ofensivën e armatosur të Rusisë dhe dënojmë gjithashtu luftën, por ne nuk do të lejojmë që familjet hungareze të paguajnë çmimin e luftës; sanksionet nuk duhet të shtrihen në zonat e naftës dhe gazit”, tha Orban.
“Shumica e importeve të naftës dhe gazit natyror të Hungarisë vijnë nga Rusia dhe 90% e familjeve hungareze ngrohin shtëpitë e tyre me gaz”, tha Orban ndërsa shtoi se “ekonomia hungareze thjesht nuk mund të funksionojë pa naftën dhe gazin rus”.