Inflacioni u rrit sërish në muajin Shkurt dhe arriti nivelin 3.9%, duke shënuar një rekord të ri për më shumë se një dekadë. Rritja e inflacionit është gjithnjë e më e përqendruar te produktet ushqimore, energjetike dhe shërbimet e transportit.
Inflacioni i grupit “ushqime dhe pije joalkoolike” në shkurt arriti në 6.9%, duke vijuar tendencën e rritjes së shpejtë që po regjistron në muajt e fundit. Një vit më parë, inflacioni i ushqimeve ishte vetëm 3.2%, çka tregon qartë ritmet e larta të shtrenjtimit të këtyre produkteve. Sipas Instat, produktet që janë shtrenjtuar më shumë krahasuar me një vit më parë janë ato të nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet”, me 16.4%, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyrna” me 10.1%, “fruta” me 7%, “bukë dhe drithra” me 6.8%, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 6.7%, “mish” me 3.9%, “qumësht, djathë dhe vezë” me 3.3%.
Inflacioni i grupit “transporti” për shkurtin arriti në 10.4%, nga 9% që kishte qenë në janar, duke reflektuar efektin e rritjes së shpejtë të çmimit të karburanteve gjatë muajve të fundit. Vetëm një vit më parë, inflacioni i grupit “transporti” ishte negativ në masën -3.9%, çka dëshmon qartë përmbysjen e madhe të tendencës së çmimeve të karburanteve dhe rreziqet gjithnjë e më të mëdha që ky shtrenjtim po sjell në ekonomi.
Inflacioni i grupit “qira, ujë, lëndë djegëse, energji” për shkurtin rezultoi 1.8%, nga 1.9% që kishte qenë në janar. Megjithatë, krahasuar edhe në këtë grup rritja e inflacionit është e dukshme krahasuar me një vit më parë, kur ndryshimi i indeksit vjetor të çmimeve të konsumit ishte 0.
Në një masë të madhe, efekti i shtrenjtimit të energjisë elektrike në tregje është amortizuar nga vendimi për të mos e përcjellë këtë shtrenjtim tek konsumatorët familjarë dhe tek bizneset e vegjël. Por, për bizneset më të mëdha, energjia elektrike është shtrenjtuar shumë gjatë muajve të fundit.
Ndaj, megjithëse nuk po paguajnë më shumë tek faturat e energjisë elektrike, konsumatorët do ta paguajnë një pjesë të çmimit të energjisë së shtrenjtuar në faturat e blerjes së artikujve dhe shërbimeve të konsumit.
Inflacioni i lartë në grupin e produkteve ushqimore përbën një goditje të rëndë për shtresat më të varfra të shoqërisë, ku ushqimet përbëjnë një pjesë shumë të madhe të shpenzimeve familjare. Shtrenjtimi me ritme të shpejta i energjisë dhe i karburanteve po ushtron presione gjithnjë e më të larta të kostove të prodhimit për bizneset, duke u reflektuar tek çmimet finale dhe duke gjeneruar presione inflacioniste shtesë.
Deri në fund të shkurtit, inflacioni ishte amortizuar pjesërisht nga pozitat e forta të lekut në kursin e këmbimit valutor. Por, me shpërthimin e luftës në Ukrainë, leku po pëson një nënçmim të shpejtë kundrejt euros. Zhvlerësimi i monedhës pritet të japë një efekt edhe më të madh në përcjelljen e inflacionit të importuar në ekonomi.